Biznesmenit nga Shqipëria, Arlend Gjonit, të njohur me nofkën si “Ledi” iu është ngritur aktakuzë për veprën penale “kanosje”. Ai akuzohet se ka kërcënuar me jetë biznesmenin nga Kosova, Driton Shukin, i cili ka qenë në dijeni për një lidhje dashurie të Gjonit me një vajzë. Media ka siguruar detaje ekskluzive nga aktakuza e ngritur për biznesmenin nga Shqipëria, që njihet si problematik edhe në shtetin e Maqedonisë së Veriut.
Gjoni akuzohet se e ka kanosur me fjalë përmes rrjetit social ‘WhatsApp’ biznesmenin Shuik për një lidhje dashurie. Sipas aktakuzës, më 30 nëntor të vitit që shkoi, Gjoni e ka kanosur me fjalët “atë që ja kam bërë djalit të tezes tënde V.A., (ngjarje që kishte ndodhur në Shkup), ty do ta bëjë në lule të ballit”.
Në fjalën e tij para gjykatës, të cilën e ka parë media, biznesmeni Shuki ka pretenduar se djalin e tezes së tij, V.A., e kishte plagosur Arlend Gjoni në hyrje të ndërtesës së të dëmtuarit. Kjo, sipas Gjonit, ka ndodhur pasi që djali i tezes së tij ia kishte ekspozuar lidhjen e dashurisë biznesmenit Shqipëria me vajzën nga Shkupi.
“…”I tregova, s’mujta me majt ma në veti”, Unë i thashë: “E paske bo m*t por shnosh kofshmi”. Pas kësaj bisede, kaluan 3-4 muaj dhe një natë, ën hyrje të ndërtesës së V.A., vrapon dikush pas dhe e plagos Vullnetin në këmbë. Atëherë është bërë alarm familjar, jemi interesuar të gjithë për rastin dhe pas dy dite, është lajmëruar Arlendi prej Dubait, tek partneri i V.A. dhe i tha mos vraponi me lyp se e këtë e kam bërë unë dhe arsyeja që e kam bërë është se është përzier në punët e mia”, ka deklaruar biznesmeni kosovar para gjykatës.
Biznesmeni Shuki tutje ka thënë në gjykatë se ka marrë informacione nga “disa qarqe të sigurisë” në Maqedoninë e Veriut që Arlend Gjoni po kërkon njerëz me pagesë nga Maqedonia ose Shqipëria që ta sulmojnë atë në Kosovë.
“Ai si person, nëpërmjet fotografive dhe shoqërisë, shoqëri të përditshme i ka disa persona që Policia e Maqedonisë, Evropa i ka në kërkim për trafikim të drogës, vrasje, zhdukje”.
Në përfundim të fjalës së tij, ai e akuzon Gjonin për “krime shumë të rënda” të kryera në Maqedoni të Veriut dhe lidhje të forta me pushtetin atje.
Ndërkaq, biznesmeni nga Shqipëria në fjalën e tij para gjykatës i ka mohuar të gjitha akuzat, përfshi edhe kanosjen që akuzohet që ia ka bërë.
Kur është pyetur nga prokurori nëse ka pasur qëllim që ta frikësojë ose kërcënojë Shukin, Gjoni e ka mohuar një gjë të tillë.
“Jo, asnjëherë, duke qenë se ai është edhe familjar i të dashurës sime është diçka absurde që unë të kërcënoj ose kanosi një person të familjes së të dashurës”, ka thënë Gjoni.
“Dua të shtoj se sa i përket Driton Shukit se i njëjti pas denoncimit që më ka paraqitur në Policinë e Kosovës ka ardhur dhe është takuar me mua. Nëse i njëjti do të ndihej i kërcënuar nga unë, pse do të takohej atëherë me mua? Andaj sa i përket këtij rasti e ndiej vetën plotësisht të pafajshëm”, ka thënë Gjoni në gjykatë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se “veprimet inkriminuese të pandehurit qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale për të cilat është akuzuar”.
Arlend Gjoni që u arrestua në Kosovë nën dyshimin për kanosje të biznesmenit Driton Shuki ka edhe një histori tjetër me miqësi e biznese.






